Sëmundjet e ekzaminuara nën titullin sëmundje artikulare, nënkuptohet që kërci i kyçit konsumohet dhe zhduket me kalimin e kohës për shkak të një sëmundjeje themelore ose plakjes, pa ekzistimit ti ndonjë traume. Prandaj, sëmundjet reumatizmale dhe kalcifikimi janë llojet më të zakonshme të sëmundjeve të kyçeve.
Sëmundjet autoimune zënë një vend të rëndësishëm ndër sëmundjet reumatizmale. Sëmundjet autoimune shkaktohen nga çrregullime në funksionimin e sistemit imunitar. E thënë thjesht, funksionimi i sistemit imunitar është si më poshtë; Në të gjitha qelizat e trupit tonë ka shënues që përmbajnë informacionin e identitetit të qelizës, këto mund të krahasohen me targat e automjeteve. Kur një qelizë e huaj nga jashtë hyn në trup, qelizat tona mbrojtëse, pra ushtarët tanë, lexojnë targën e këtij të huaji që ndeshen për herë të parë dhe sapo e kuptojnë se është i huaj, përpiqen ta luftojnë dhe mundohen ta eliminojnë këtë të huaj. Ndërkohë disa nga ushtarët e transmetojnë targën e të huajit në qendër, pra në palcën e eshtrave. Sepse palca jonë e eshtrave është vendi ku bëhen ushtarët tanë dhe çdo ushtar i ri i lindur tani ka informacionin e targës së këtij të huaji. Prandaj, kur i njëjti i huaj hyn përsëri, prania e tij njihet lehtësisht dhe fillon një luftë e gjithanshme me të gjitha qelizat mbrojtëse që qarkullojnë në gjak. Kështu, mikrobi shkatërrohet para se të shkaktojë sëmundje.
Zatën kjo është edhe logjika e vakcinës; qëllimi është të futet një mikrob i dobësuar që nuk është në gjendje të shkaktojë sëmundje dhe të futet në sistem targa e atij mikrobi. Kështu, kur të vijë mikrobi i vërtetë, ai do të gjejë një skuadër ushtarësh të gatshëm që presin të luftojnë kundër tij.
Pra, çfarë ndodh nëse ushtarët tanë nuk mund ta njohin targën e qelizave tona? Pikërisht atëherë shpërthen një luftë e brendshme. Qelizat tona mbrojtëse fillojnë t’i shohin qelizat në trupin tonë si armiq dhe t’i shkatërrojnë ato. Kjo quhet sëmundje autoimune. Për shembull, disa sëmundje reumatizmale ndodhin kur qelizat tona të kyçeve fillojnë të njihen si të huaja dhe eliminohen nga qelizat mbrojtëse, duke rezultuar me kalcifikim. Ose mund të japim si shembull diabetin e tipit 1. Kur qelizat mbrojtëse godasin pankreasin, ne nuk mund të prodhojmë më hormonin tonë të insulinës.
Nyjet gjatë plakjes
Efekti i plakjes në kocka dhe kyçe shihet në të gjitha kyçet e trupit, por ndryshe nga nyjet e tjera, nyjet e gjurit janë më të prekura nga procesi i plakjes nën peshën trupore gjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, gjendja e përshkruar si kalcifikim përdoret kryesisht për nyjen e gjurit. Kalcifikimi është ulja ose humbja e plotë e kërcit të kyçeve për shkak të konsumimit. Kjo situatë ndodh në një masë më të madhe ose më të vogël tek të gjithë, por tek tş gjithë ndodh në shkallë të ndryshme. Mund ta krahasojmë këtë situatë me rrudhjen e lëkurës. Kërci është gjithashtu i lëmuar, me shkëlqim dhe bart pa probleme ngarkesat në moshat e reja. Me kalimin e kohës fillojnë të shfaqen gërvishtje të vogla, të çara, me fjalë të tjera, rrudhat. Ashtu si procesi i plakjes nuk është i njëjtë për lëkurën e të gjithëve, edhe procesi i plakjes së kërcit është specifik për çdo person.E rëndësishme është se çfarë bëjmë për t’u mbrojtur nga kjo situatë dhe si e trajtojmë atë pasi të shfaqet problemi.
Struktura e shëndetshme e kërcit është e mundur me kocka të shëndetshme. Këto mund të jenë sugjerime klishe, por të bësh sport, të ushqehesh shëndetshëm, të shmangësh peshën e tepërt dhe të jetosh larg aktiviteteve që mund të shkaktojnë dëmtime të kyçeve do ta ngadalësojnë këtë proces. Femrat janë në rrezik më të madh në këtë proces, sidomos ndryshimet hormonale pas menopauzës, të cilat i predispozojnë për ulje të cilësisë së kockave, me fjalë të tjera, dobësim të kockave. Kërci është si çatia e një shtëpie; nëse kolonat e shtëpisë nuk janë të forta, nuk do të jetë e mundur që çatia të mbijetojë. Për këtë arsye, problemi i kalcifikimit është më i zakonshëm tek gratë. Marrja e masave paraprake për të mbrojtur shëndetin e kockave, veçanërisht pas menopauzës, do të ngadalësojë këtë proces dëmtimi.
Kalcifikimi i kyçeve
Sinjali i parë i kalcifikimit të kyçeve që vërehet nga pacienti është dhimbja. Nëse vazhdojmë duke dhënë si shembull nyjen e gjurit; Dhimbja shfaqet me lëvizje, zakonisht ndihet në brendësi të kyçit. Kapaciteti mbajtës i nyjës së gjurit zvogëlohet, kështu që distanca e ecjes fillon të zvogëlohet dhe kjo dhimbje ndihet më shumë kur ngjiteni dhe zbrisni shkallët. Ka një kufizim në lëvizje, pacienti nuk mund të përkulë gjurin ose nuk mund ta hapë plotësisht kur përpiqet ta hapë. Gjatë lëvizjeve nga gjunjët dëgjohet një tingull. Me kalimin e kohës, deformimi në gjunjë bëhet i dukshëm, shfaqet ënjtje në nyje, këmbët të cilat kur të shikohen nga përpara duhet të jenë të drejta për shkak të ndryshimeve në kyqe mund të përkulen anash, duke i ngjarë shkronjës O.
Kalcifikimi i ijeve gjithashtu përparon përmes një procesi të ngjashëm. Dhimbja në ijë është shpesh simptoma e parë. Ndërsa kalcifikimi përparon, distanca e ecjes fillon të shkurtohet. Kufizimet e lëvizjes bëhen të dukshme. Personi fillon të ketë vështirësi të ulet në vende të ulëta dhe të veshë çorapet e tij. Në fazat e mëvonshme, për shkak të deformimit të nyjës së kofshës, shfaqet shkurtësia e këmbës së prekur, e cila shkakton çalimin. Si rezultat, pacienti detyrohet të përdorë bastun.
Metodat e Trajtimit
Është e nevojshme të filloni trajtimin e kalcifikimit duke thënë: ‘Nuk ka sëmundje, ka pacient’. Me fjalë të tjera, çdo pacient duhet të vlerësohet dhe trajtohet individualisht. Nuk është e mundur të trajtohen të gjitha fazat e kalcifikimit me një metodë të vetme trajtimi. Prandaj duhen shmangur parullat e përgjithshme. Me fjalë të tjera, sloganet si ‘injeksion brenda gjurit, fundë kalcifikimit’ ose ‘trajtim jo kirurgjikal me metodë mrekullie’ tërheqin vëmendjen, por trajtimi i gabuar shkakton vetëm humbje kohe dhe parash. Është e rëndësishme këtu se çfarë niveli është sëmundja. Sepse humbja graduale e kërcit dhe shfaqja e simptomave të sëmundjes nuk ndodh papritur. Ky është një proces që kërkon vite dhe trajtimin e përcakton ku jeni në proces. Për shembull, ndërsa trajtimet si fizioterapia, injeksionet intra-artikulare dhe rregullimi i aktiviteteve të përditshme të jetesës kryhen në fazat e hershme, trajtimet kirurgjikale dalin në pah në rastet e sëmundjeve të avancuara.
Injeksionet intra-artikulare kryhen në fazat e hershme të sëmundjes, pra kur indet e kërcit janë ende të pranishme. Qëllimi është të ngadalësohet procesi dhe të sigurohet që ankesat të tërhiqen. Një substancë që ekziston tashmë në nyjet tona, e quajtur acidi hialuronik, injektohet në nyje për të rritur lubricitetin dhe aftësinë mbajtëse të kyçit. Kohët e fundit, aplikimi i PRP dhe qelizave staminale ka qenë gjithashtu në axhendë. Disa faktorë të rritjes, të cilët gjenden në gjakun tonë dhe që normalisht mund të sigurojnë shërimin e plagëve, injektohen drejtpërdrejt në kocka, muskuj dhe indet e tendinit për të njëjtin qëllim, duke synuar shërimin. Këtu duhet sqaruar se indi kërcor nuk është një ind që mund të ripërtërihet, pra ashtu si qelizat nervore, pasi lëndohet ose vdes, nuk mund të riparohet apo zëvendësohet nga trupi. Prandaj, në rastet e kalcifikimit ku kërci humbet plotësisht, trajtimi është kirurgjik.
Metoda bazë kirurgjikale është kirurgjia protetike. Me këtë operacion, sipërfaqja e kyçit pa kërc zëvendësohet me një të re. Ky është një operacion i rëndësishëm dhe mbart disa rreziqe, por komoditeti që i ofron pacientit është i pabesueshëm. Dhimbja kalon dhe shtrirja e kyçeve përmirësohet. Gama e lëvizjes rritet në krahasim me të vjetrën. Më e rëndësishmja, ecja bëhet më e lehtë, pa dhimbje dhe distanca e ecjes rritet, kështu që pacienti mund të marrë pjesë më shumë në jetën e përditshme.